Njoftim i Rëndësishëm
Mbyllje e Përkohshme e Sheshparkimit “Avni Rustemi” për Ndërtimin e Parkimit të Ri Nëntokësor
Tirana Parking njofton përdoruesit e makinave se, bazuar në kontratën e sipërmarrjes Nr. 11314/7 Prot., datë 07.08.2024, lidhur me Bashkinë Tiranë me objekt “Rehabilitimi i fasadave & rrugës “Luigj Gurakuqi” deri tek sheshi “Avni Rustemi” (me parkim 2 kate nën tokë)”, sheshparkimi aktual në sheshin “Avni Rustemi” do të jetë i mbyllur përkohësisht dhe nuk do të jetë i aksesueshëm për automjetet deri në përfundimin e projektit.
Projekti përfshin rehabilitimin e rrugës “Luigj Gurakuqi”, sheshit “Avni Rustemi” dhe zonave përreth, përfshirë përmirësimin e fasadave dhe infrastrukturës rrugore, krijimin e hapësirave të gjelbëruara, si dhe përmirësimin e urbanistikës së zonës. Ndërtimi i parkimit nëntokësor synon të lehtësojë parkimin në këtë zonë të ngarkuar dhe të krijojë një ambient të dedikuar për këmbësorët mbi tokë.
Ndërsa punimet vazhdojnë, do të merren masa për të minimizuar ndikimin në qarkullim dhe për të njoftuar qytetarët për çdo ndryshim në lëvizjen e automjeteve. Qytetarët janë të lutur të ndjekin njoftimet tona për të gjetur alternativa të tjera për parkim gjatë periudhës së punimeve dhe për t’u informuar për çdo zhvillim të mëtejshëm.
Ky parkim i ri nëntokësor, i cili do të ketë një kapacitet prej 210 automjetesh, është pjesë e përpjekjeve për të transformuar sheshin “Avni Rustemi” në një destinacion multifunksional për qytetarët dhe turistët, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës urbane.
Falenderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre gjatë kësaj periudhe të zhvillimeve infrastrukturore. Për çdo pyetje apo informacion shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë me Tirana Parking ose të ndjekin njoftimet zyrtare në faqen tonë të internetit dhe rrjetet tona sociale.