TIRANË – Kryeqyteti do të ketë 71 rrugë me pagesë, me çmim nga 20 deri në 100 lekë ora, ndërsa rezidentët nuk do të paguajnë kur parkojnë makinën në zonën e tyre. Kështu shprehet në një intervistë për Report Tv drejtoresha e agjencisë Tirana Parking Eglantina Zere. Ajo thotë se qytetarët jo rezidentë nuk do të parkojnë makinën në lagjet e kryeqytetit por vetëm në 71 rrugët me pagesë. Të gjithë rezidentët do të pajisen me një kartë ose pullë e cila do të ketë një ngjyrë të ndryshme sipas zonës. Për ata qytetarë që nuk paguajnë tarifën Bashkia e Tiranës parashikon penalitet, duke filluar nga gjoba.Ka një vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës për parkimet me pagesë në kryeqytet.
A mund të na thoni ky vendim përfshin të gjitha rrugës e qytetit të Tiranës?
Me vendim të Këshillit Bashkiak është krijuar Agjencia “Tirana Parking”, e cila administron të gjitha rrugët publike që janë të disponuara për parkim. E gjithë Tirana është e ndarë në 4 zona për parkim me pagesë dhe do të ketë 3 nivele tarifimi, të cilat janë 20, 40 dhe 100 lekë. Në të gjithë qytetin e Tiranës, deri në unazën e madhe është e gjitha në administrim nga Tirana Parking, të cilat janë të ndara në zonën A, B dhe C.
Nëse marrim zonën C, e cila është jashtë unazës së vogël dhe të mesme, tarifat janë të përllogaritura sipas distancave që kanë. Nëse marrim zonën A, tarifa e parkimit është 100 lekë, gjithmonë në rrugët kryesore, në zonën B që është Unaza e Mesme, tarifa është 40 lekë për orë dhe në zonën C, tarifa për parkim është 20 lekë për orë.
Banorët rezidentë nuk pritet të paguajnë tarifë parkimi, a mund të na shpjegoni si do të identifikohen këta banorë, domethënë si do dallohet ai që është rezidentë me një tjetër që është i ardhur?
Nëse kthehemi pas në kohë, administrimi i parkimit publik të qytetit të Tiranës, do të jepej me koncesion në vitin 2014, kryeqyteti ishte ndarë në 23 zona administrative, jo në 4 siç është sot. Rezidentë nuk do të thotë vetëm ai që është lindur dhe rritur në Tiranë, i cili posedon një makinë. Rezidentë në Tiranë është edhe një qytetar, i ardhur, emigrant, studentë i cili jeton dhe punon në kryeqytet. Ndarja administrative me katër zona do të thotë se rezidenti do të jetë i priviligjuar, pra nuk do të paguajë në 25% te qytetit të Tiranës, në njësinë ku banon.
Nëse dikush e ka shtëpinë te rruga Myslym Shyri dhe kjo zonë zonën i përket zonës A, ky qytetar do të ketë mundësi të mos paguajë për të parkuar makinën në të gjithë hapësirën brenda lagjes, poshtë pallatit, në hapësirat publike brenda zonës. Kuptohet që do të ketë një pullë e cila do ta identifikojë nga zonat e tjera, nëpërmjet ngjyrës.
Qytetari rezident do të gëzojë të drejtën të parkojë pa pagesë dhe në rrugët kryesore të zonës së tij, të cilat janë me pagesë. Pra rezidentët edhe në rrugët që janë në pagesë do të përfitojnë një përqindje të caktuar në mënyrë që të parkojnë makinën e tyre pa lek. Rezidentët dhe invalidët përveçse do të kenë të drejtë të parkojnë makinën në zonën ku banojnë, por dhe në një pjesë të rrugëve me pagesë.
Për sa i përket pagesës, të gjitha rrugët, përfshirë edhe ato në lagjeve do të jenë me pagesë?
Ndarja në 4 zona administrative dhe në 3 plane tarifore, do të thotë që në të gjithë Tiranën janë marrë në administrim 71 rrugë kryesore që do ti nënshtrohen tarifimit me pagesë për orë. Kjo do të thotë që nëse jemi në rrugën e Kavajës apo në rrugët e bllokut, që i përkasin Zonës A, atëherë makina për rezidentët do të parkohet falas në të gjitha rrugët e lagjes por edhe në një pjesë në rrugën kryesore, që bashkia e ka parashikuar si rrugë me pagesë.
Pra nëse në këtë rrugën Myslym Shyri ka rreth 300 vende parkimi, atëherë 10, 20 ose 30 vende parkimi do të jenë për rezidentët, ndërsa në lagje secili mund të parkojë makinën e tij pas asnjë tarifë.
Parkimi me pagesë do të jetë vetëm në 71 rrugët kryesore?
Me pagesë do të jenë vetëm 71 rrugë të cilat janë të miratuara me Vendim të Këshillit Bashkiak.
Një qytetar që vjen nga një zonë tjetër, nuk do të paguajë nëse parkon makinën në një rrugë lagjeje?
Nëse ajo rrugë nuk përfshihet në listën e 71 rrugëve që janë me pagesë, ai qytetarë nuk do të parkojë. Ky qytetarë nuk do të parkojë makinën pasi ajo zonë do të jetë për të parkuar makinën vetëm për rezidentët. Një qytetarë që vjen nga Fieri apo nga Korça dhe do të parkojë në rrugën e Elbasanit, ai ka të drejtën të parkojë vetëm në rrugën kryesore që është me pagesë, pasi rrugët e lagjeve do të jenë vetëm për rezidentët.
Po kur nuk ka vende të mjaftueshme parkimi. Për shembull për rezidentët nuk ka vende të mjaftueshme parkimi në një lagje pranë Rrugës së Kavajës, si do veprohet në këtë rast?
Është bërë një studim ku janë parë hapësirat që ofron çdo zonë për të parkuar makinën. Një rezidenti ne i kemi shtrirë hapësirën për të parkuar pa leke në një zonë më të gjerë, jo vetëm poshtë pallatit por në çdo cep të lagjes së tij.
Po kur qytetarët nuk e paguajnë tarifën e parkimit, cilat do të jenë penalitetet?
Kur keni parkuar te Bulevardi pranë Hotel Dajtit dhe nuk e vendosni biletën në xham dhe nëse kaloni orarin e parashikuar në atë vendparking atëherë ka penalitete me gjobë, por edhe masa të tjera të cilat janë duke u parë në vijim. Për çdo thyerje të ligjit ne bashkëpunojmë edhe me Policinë Bashkiake duke marrë masat përkatëse.
Kur pritet që të nisë zbatimi i vendimit për të bërë me pagesë një pjesë të rrugëve në Tiranë ?
Aktualisht janë 3 rrugë me pagesë dhe shpresojmë që deri në fund të vitit të gjitha rrugët që janë të destinuara për parkim me pagesë të janë nën administrimin e Tirana Parking
Tarifa. Rezervimi i vendparkimit deri në 438 mijë lek në vit
Qytetarët edhe mund të rezervojnë vendparkimin në një nga 71 rrugët e Tiranës të cilat do të jenë me pagesë. Për të rezervuar vendin, një qytetarë duhet të paguajë 438 mijë lekë të reja për një vit, duke përfshirë të 7 ditët e javës në çdo orar. Për 12 orë, tarifa është 306 mijë lekë. Ndërkohë parkimi mund të rezervohet edhe me orar. Kështu për te rezervuar vendparkimin për 12 orë, nga e hëna në të premten, tarifa është 221 mijë lekë. Në momentin që një qytetarë paguan rezervon një vend të caktuar parkimi, ky vend do të jetë posaçërisht për të.
Vendimi. Parkimet me pagesë nga ora 7:30-20:00, ndarja në 3 zona
Parkimi me pagesë do të jetë nga ora 7:30 deri në orën 20:00 të mbrëmjes. Sipas vendimit që ka miratuar tashmë këshilli, Bashkia e Tiranës ka parashikuar që rreth 70% e parkimit të jetë me pagesë ndërsa 30% do të jetë pa lekë, ku do të shfrytëzohet nga banorët rezidentë dhe invalidët. Do të jenë tri zona me pagesë.
Zona A përfshin zonat më të nxehta ku mbizotërojnë shërbimet tregtare, financiare apo sociale me intensitet të lartë. Në këtë zonë gjendet një pesë e mirë e aktivitetit të Administratës Publike, qendra biznesi, banka, lokale etj. Në këtë zonë tarifa e parkimit në rrugë do të jetë 100 lekë ora. Mungesa e biletës do sanksionohet me gjobë 3 mijë lekë.
Zona B, mbizotërojnë shkëmbimet tregtare e financiare me intensitet mesatar. Qëndrimi i automjeteve zgjat 1-3 orë. Pagesa për parkimin në rrugë do të jetë 40 lekë ora. Mungesa e biletës sanksionohet me gjobë 1 mijë lekë.
Zona C, përfshin rrugë ku nuk ka shumë intensitet të automjeteve. Rrugët sekondare shfrytëzohen nga banorët për parkim. Tarifa për parkimin në rrugë do të jetë 20 lekë ora. Mungesa e gjobës sanksionohet me gjobë 500 lekë.